image Haradinaj: Kam vepruar drejt me dokumentet, njësoj do të bëja përsëri

Drejtësi

Haradinaj: Kam vepruar drejt me dokumentet, njësoj do të bëja përsëri

news image

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka thënë se nuk pendohet për veprimet e tij përmes së cilave ka bërë të ditur se në organizatë kishin arritur dokumente nga një person i panjohur për tre herë me radhë.

Gjatë ditës së tretë të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara, ai ka deklaruar se krerët e OVL-UÇK nuk kanë publikuar apo shumëzuar dokumente, veçse kanë bërë të ditur ngjarjen e arritjes së tyre dhe se përsëri do të vepronte njësoj.

Nga prokurori, Haradinaj është pyetur nëse është penduar për veprimet e tij lidhur me ngjarjen që lidhet me dokumentet që ishin dorëzuar në organizatë.

“Për atë të cilën unë e pranova dhe jo atë të cilën ti po pretendon, asnjë grimë nuk ndjehem i penduar, sepse e kam bërë me vetëdije timen dhe thellë i bindur se është në dobi të transparencës dhe interesit publik, kështu që e kam kryer vetëm një obligim që unë kam menduar që më është dashur ta kryejë, asnjë gjë më tepër dhe ajo është marrja prej aty dhe qitja deri aty, për deri këtu asnjë gjë nuk pendohem”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se veprimet që lidhen me dokumentet i ka ndërmarrë duke pasur parasysh interesin publik.

“Për këtë e kam ditur që është interes dhe kam qenë thellë i bindur, që është në interesin publik dhe është për hir të transparencës publike, për këtë arsye e kam bërë dhe kam menduar që është detyrë jo vetëm e imja, por e çdo qytetari të një shteti demokratik dhe të pavarur, shprehja e mendimit të lirë. Veprimin që e kam bërë, që kam treguar pse kanë ardhur dokumente, vetëm kam treguar që ne na kanë ardhur këto dokumente, jo më tutje e prandaj dhe nuk pendohem”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa prokurori ka insistuar në pyetjen e tij nëse Haradinaj do të vepronte njësoj sikur të gjendej në situatë të tillë si në shtator 2020. Haradinaj tha se ka vepruar drejt dhe se do të bënte të njëjtën përsëri.

“Do të më detyrosh të kërkoj prej gjyqit mos me më qit kurrë prej burgut deri të kryhet gjykata, sepse e paske në plan me na prurë prapë, e unë nuk mund të jem fajtor kujdestar sikur në Serbi, çka ndodh në Kosovë të merrem unë. Ti po e di që kanë me ardhur, e ke plan me na i pru? Njëjtë do të veproj sepse ende e kam mendimin e njëjtë, për aq sa kam vepruar që kam bërë drejt dhe e kam bërë në interes të transparencës dhe informimit publik”, ka thënë Haradinaj.

Ndër të tjera, gjatë seancës Haradinaj ka thënë se i kishin shfletuar dokumentet që kishin arritur në zyrat e organizatës, por nuk i kishin lexuar të gjitha dhe sipas tij aty kishte parë emrin e një personi për të cilin ka thënë se nuk do të kishte besuar asnjëherë të llogaritej dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Dy persona janë përmendur gjatë seancës duke u vënë numrat 29 dhe 30, për të cilët Haradinaj ka thënë se nuk janë sekret edhe pse nuk është lejuar të përmend emrat.

“Personi 29 është shqiptar, i vetëdeklaruar si dëshmitar për çdo ditë shkruan, edhe sot besoj shkruan, ky për ju është sekret, për ne 20 vjet gati nuk është sekret, edhe para jush ky nuk është sekret, as numri 30 nuk është sekret dhe nëse nuk është kështu unë e pranoj dënimin, pa më pyet hiq. Çfarë sekreti ky, këtij nuk mund të ja ndalni gojën as ju… Për ato çka i thotë ai, unë nuk e di a është e vërtetë apo nuk është e vërtetë, por që flet vazhdimisht, që krijon ngjarje, sepse është që 20 vjet atij nuk i janë shtjerrë ngjarjet e reja, është shumë relaksues. Kur duan njerëzit të reklaksohen, e marrin e lexojnë, për të qeshur… Po të dihet emri i tij të gjithë do të qeshin edhe sot t’i thuhet këtij dëshmitar i mbrojtur ose i fshehtë. E vërteta është vetëm diçka që nuk ia ka marrë kurrë askujt mendja që është dëshmitar”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se nuk i kanë lexuar të gjitha dokumentet që kishin arritur në OVL-UÇK.

“Nuk i kemi lexuar për ta ditur tamam. Unë kam shfletuar dokumentet, por si emër është i njohur edhe për një fëmijë që ka lindur në vitin 2000, se ky ia ka nisur prej 2003 të flasë vetë haptas, shkruan vetë, shkruan artikuj në gazeta të ndryshme, ky është i njohur për çdo njeri, bile ky e imponon opinionin për ta njohur… Unë nuk kisha besuar kurrë që ky do të ishte dëshmitar për ju, unë kam menduar që ky është një i çmendur, që dëshiron t’i bëjë vetes popullaritet dhe asgjë tjetër, kështu që beso, më ka befasuar kur ky është i besueshëm për ju si dëshmitar i mundshëm, mos të flasim për të dhënat që i jep ky njeri”, ka thënë ai.

Ndërsa për personin me numër 30, Haradinaj ka thënë se i njëjti vazhdimisht ka ftuar mediat për të deklaruar përmes konferencave dhe njihet nga të gjithë në Kosovë.

Në ditën e tretë të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara në Hagë, Haradinaj është përgjigjur në pyetjet e prokurorit rreth paketës 3 që kishte arritur në OVL-UÇK më 22 shtator 2020.

Pyetjet e ZPS-së kanë përfunduar sot, ndërsa avokati mbrojtës do të vazhdojë nesër me pyetjet plotësuese.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës./GazetaSinjali/