Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se është i gatshëm që në çdo kohë e në çdo situatë të jenë aleat i Qeverisë dhe kryeministrit, Albin Kurti, që në betejën politike me Serbinë, ta mbrojnë Kushtetutën, integritetin dhe sovranitetin e vendit.
Sipas tij, Kosova sot nuk e ka komoditetin e debateve as për tërheqje, as për dorëheqje e as për zgjedhje të reja.
“Informatat për situatën e sigurisë në Ballkan, kurrë nuk kanë qenë më shqetësuese në këto njëzet e sa vjet. Kosova sot është përballë sfidave të mëdha që kanë të bëjnë me të ardhmen e saj. Natyrisht sfida më e madhe është marrëveshja finale me Serbinë, e cila ka të ngjarë të hyjë në fazën e vet përfundimtare”, ka shkruar Haradinaj në një postim në profilin e tij në Facebook.
Kreu i AAK-së thotë se Qeveria Kurti e ka marrë mbështetjen e mbi 50 për qind të popullit, për t’i zgjidhur temat e mëdha, dhe nuk e ka komoditetin as ta mendojë tërheqjen.
“Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri i saj Albin Kurti, e kanë marrë përgjegjësinë por edhe besimin e elektoratit, për t’i adresuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me përmbylljen e shtetësisë së Kosovës. Kjo Qeveri dhe ky Kryeministër e kanë kërkuar dhe e kanë marrë mbështetjen e popullit, 50 plus për qind, për t’i zgjidhur temat e mëdha dhe sot nuk e kanë komoditetin që as ta mendojnë tërheqjen eventuale nga kjo betejë. Në të kundërtën kjo do të konsiderohej dezertim në raport me interesin shtetëror e kombëtar të Kosovës”, ka shkruar ai.
Kreu i AAK-së thotë se Kosova ka nevojë për unitet politik. Mes tjerash thotë se ai dhe partia e tij janë të gatshëm të jenë aleatë të Qeverisë, në betejën politike me Serbinë./GazetaSinjali/