image Haradinaj: Jam befasuar nga zotësitë e Grenellit

Politikë

Haradinaj: Jam befasuar nga zotësitë e Grenellit

news image

Ardhja e delegacionit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, për më pak se tri javë pas nënshkrimit po shihet si diçka që nuk është parë asnjëherë deri më tash nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj ka çmuar lart punën e emisarit special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell për të shtyrë përpara marrëveshjen për normalizim ekonomik të 4 shtatorit.

“Jam i befasuar me zotësitë e Grenellit. Jam i mahnitur me fuqinë e delegacionit amerikan për temat. Është e paparë të futen menjëherë temat në zbatim pas arritjes së marrëveshjes. Nuk duhet të shihet pak kjo. Nuk mund pa ia pranuar meritën Grenellit”, është shprehur ai në Klan Kosova.

I pari i AAK-së megjithatë e ka pranuar se në vizitën e djeshme të delegacionit të qeverisë amerikane në Prishtinë nuk ishte takuar me ish-ambasadorin Grenell, me të cilin ka komunikime të rregullta, pavarësisht asaj se ata kanë mos pajtime.

“Nuk mund të them se më ka mikun më të mirë në Kosovë. Unë i kam treguar se cili është problemi më i madh i ynë. Ata janë profesionistë dhe njerëz të zotë. S’është puna që nuk iu besoj, por unë e marrë rrogën nga Kosova, ndërsa Grenelli paguhet nga Trump”, është shprehur ai./Gazeta Sinjali/