Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, i ka quajtur “rrenë të kulluar” faturat e publikuara në media që dëshmojnë se gjatë qeverisjes së tij janë shpenzuar mbi 506 mijë euro vetëm për dreka.
Sipas Haradinajt ato fatura janë interpretuar në mënyrë të gabuar dhe se paratë janë shpenzuar për reprezentacion shtetëror.
“Është rrenë e kulluar, nuk është ashtu. Shikoni, shteti ka reprezentacion shtetëror, ne presim palë, ne mbajmë pritje shtetërore, ne udhëtojmë jashtë vendit, pra ka reprezentacion shteti, nuk janë dreka e darka të kryeministrit. Ato që i kam pa unë në media është rrenë, pra është dhënë në mënyrë të gabuar informata”, u shpreh ai.
Haradinaj tha se përmbledhja e parave që është bërë se janë harxhuar në dreka e darka është rrenë, megjithatë publikimin e faturave e ka quajtur sukses, pasi sipas tij çdo gjë që shpenzohet duhet të dihet.
“Edhe ky është një sukses se nuk ka më fshehtë, gjithçka do të dihet se çka do që harxhohet, transparente. Pra, ne i kemi dhënë krejt faturat, çdo gjë do t’i japim për gazetarët për t’i analizuar, të shihen të gjithë çka, ku, si, qysh. Por, përmbledhja qysh është bërë se janë harxhuar 50 mijë euro dreka e darka është rrenë”, tha Haradinaj./Gazeta Sinjali/