image Haradinaj i kundërpërgjigjet Ramës për mini-shengenin: Puna e mbarë pa ne

Kosovë

Politikë/ Haradinaj i kundërpërgjigjet Ramës për mini-shengenin: Puna e mbarë pa ne

news image

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kosova nuk ka nevojë për një mini-shengen që kryeqytet e ka Serbinë, derisa ka theksuar se e gjithë ideja e mini-shengenit është heqja e taksës që Kosova i ka vendosur produkteve që importohen nga Serbia.

Teksa sot në Tiranë po mbahet takimi i tretë i vendeve të Ballkanit Perëndimor, Haradinaj tha se përderisa Kosova nuk njihet nga Serbia dhe të mos mohohet masakra e Reçakut, iu mbetet t’iu thonë puna e mbarë pa ne.

Të gjitha vendet e Ballkanjt Perëndimor, pra 6 që ka mbetur pa u anëtarësuar në BE, ne kemi marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Pra, secili vend ka kontratë me BE-në, Kosova e ka MSA-në dhe ne duhet me iu fokusua MSA-së. Pra, nuk kemi nevojë për një mini-shengen me kryeqytet Serbinë ose lider Serbinë të mini-shengenit tonë. Jemi të interesuar për shengen në këtë rast, për BE-në. Kosova është vend euroatlantik, pra kjo është perspektiva e jonë. Hetohet që krejt kjo bëhet në njëfarë mënyre me na e heq taksën, është një byepas për me e heq taksën. Krejt mini-shengeni vetëm një qëllim e ka, një sukses nëse kish mujt me e heq taksën. Pra, edhe nervozat që i kanë këto ditët e fundit pikërisht për atë vijnë, se po iu bien në ujë këto zhvillime”, citohet të ketë thënë ai.

Haradinaj tha se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është vëllai i tij, por që nuk ka pasur qare pa dal kundër ndarjes së Kosovës.

Nuk janë të këqija, shikoni tash unë disa herë e kam përsëritur që Edi Rama është vëllai im, ai është shqiptar, jam shqiptar, të majtën e të djathtën në Shqipëri janë vëllezërit e motrat e mi. Unë nuk kam pas qare pa dal kundër ndarjes, jo për inati të njërit prej nesh as në Kosovë, as në Shqipëri, por kam dal kundër ndarjes. Sikurse e dini Trepça është Kosovë, nuk po na e konteston më kurrkush mbi këtë dhe, a keni dëgjuar dikë duke thënë më që Trepça është e dikujt tjetër pos e Kosovës, pavarësia energjetike ka ndodhur, pra kemi mundur të nënshkruajmë marrëdhënie kontraktuale tash me Shqipërinë për unifikim të tregut, kemi ushtrinë dhe po, kemi edhe taksën, po taksa është kundërvlerë për njohje. Kur të na njeh Serbia ne i hapim dyert për takime bilaterale e trilaterale, po me qëndrime mohuese të Serbisë deri edhe në mohim të masakrës së Reçakut nuk na mbetet rrugë tjetër pos me iu thënë puna e mbarë pa ne“, u shpreh Haradinaj.

Kujtojmë se sot në Tiranë po mbahet takimi i tretë i vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të diskutojnë projektin e “MiniShengenit Ballkanik”. Në këtë takim në Tiranë po marrin pjesë liderët e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, ndërsa mungon Kosova e ka refuzuar ftesën për të marrë pjesë në këtë takim./Gazeta Sinjali/