Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, i është përgjigjur Ramush Haradinajt për një koalicion të mundshëm parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, pasi ky i fundit shprehi interesim.
Kur kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, zyrtarizoi koalicionin parazgjedhor me PSD-në e Shpend Ahmetit, në një konferencë para gazetarëve tha se është i hapur për bashkëpunim edhe më Nismën e Fatmir Limajt e AKR-në e Behgjet Pacollit.
Për thirrjen e Ramush Haradinajt, Sinjali ka biseduar me Bilall Sherifin e Nismës Socialdemokrate. Sherifi tha se partia e tij duhet të garojë e vetme në zgjedhje por që vendimin përfundimtar do ta marrë kryesia e Nismës.
“Nisma është duke punuar që në zgjedhje të shkojë e vetme. Akualisht jemi në fazën e konsultimeve me strukturat e partisë. Pas përfundimit të konsultimeve me strukturat tona, atëherë do të mund të dalim me një vendim përfundimtar. Unë personalisht jam duke vizituar të gjitha strukturat e degëve në nivel vendi, prandaj do të angazhohem që Nisma të dalë e vetme në këto zgjedhje. Megjithatë vendimi përfundimtar i takon strukturave drejtuese të partisë”, tha Sherifi në një prononcim për Sinjalin.
Ndryshe, Haradinaj tha se janë të hapur për bashkëpunim me Nismën e AKR-në. Ai paralajmëroi takim me kryetarin e Nismës, Fatmir Limajn.
Seanca për shpërndarjen e Kuvendit do të mbahet më 22 gusht, ndërsa zgjedhjet e reja parlamentare pritet të mbahen në javën e parë të tetorit./Sinjali/