Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i bën thirrje kryeministrit të vendit, Avdullah Hoti që të mos e nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, në të cilën përmendet Liqeni i Ujmanit. Haradinaj thotë se që prej 3 shtatorit është në dijeni se çështja e Ujmanit është njëra nga pikat e marrëveshjes.
“Kam komunikuar me të gjitha palët relevante, kam kërkuar që të hiqet si pikë, përndryshe nuk do të jemi pjesë e saj”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se nëse marrëveshja nënshkruhet sot, më 4 shtator dhe ka çështjen e Ujmanit në të, ai dhe partia e tij, që është pjesë e koalicionit qeverisës – nuk do ta përkrahin.
“Ujmani është një liqe që ka 9,2 kilometra në territorin e Kosovës, dhe ka 2,7 në territorin e Serbisë. Pra, është një kufi ujor në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ka edhe një hidrocentral në brendi të Kosovës. Ne nuk e vlerësojmë që duhet të jetë në një marrëveshje trelaterale ku është edhe Serbia palë e ardhmja e Ujmanit. Jemi të hapur me Departamentin e Energjisë të Amerikës për të ardhmen e Ujmanit, por jo për një marrëveshje trepalëshe ku edhe Serbia është palë, lidhur me të ardhmen e Ujmanit”, tha Haradinaj për REL.
Më tej, i pari i AAK-së shtoi se për heqjen e kësaj pike nga marrëveshja ka folur me të gjitha autoritetet relevante, pasi sipas tij, përfshirja e Ujmanit në marrëveshjen e paralajmëruar, “është e papranueshme”.
Liqeni i Ujmanit vlerësohet një ndër pasuritë e Kosovës, i cili shtrihet në veri-perëndim të Kosovës, konkretisht në Komunën e Zubin Potokut, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.
Haradinaj tha se nëse arrihet marrëveshja, që përmban edhe çështjen e Ujmanit, atëherë as e ardhmja e koalicionit qeverisës nuk është e sigurt. /Gazeta Sinjali/