Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në seancën e dy Kuvendeve, të Kosovës e Shqipërisë, që po mbahet sot në Prishtinë.
Haradinaj ka thënë se Kurti është në shërbim të Serbisë e Rusisë, derisa ka theksuar që për shkak të Kurtit “Kosova është në të njëjtin thes me Korenë e Veriut”.
“Hapat e pakoordinuar të qeverisë, bënë që Serbia të shihet si viktimë. Kosova është në të njëjtin thes me Korenë e Veriut nga kryeministri Kurti dhe qeveria e tij. Kryeministri ynë ka shkuar deri aty sa Blinkenin e ka quajtur naiv.
Në vendin tonë, tenderët njëburimorë, janë kthyer në gjakderdhje financiare, në vendin tonë është vjedhur mielli e vaji, pasuli është shpallur sekret shtetëror. Kryeministri sapo mashtroi më herët për investime në mbrojtje. Çdo veprim i Kurtit është në agjendë të Serbisë e Rusisë, bëri përpjekje në Shqipëri por ju nuk e lejuat”, ka thënë Haradinaj.