Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka deklaruar sot se marrëveshja ajrore mes Kosovës dhe Serbisë nuk e cenon sovranitetin dhe pavarësinë e vendit tonë dhe se kjo marrëveshje nuk e largon taksën 100 për qind dhe nuk ndërlidhet me të.
Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë në detyrë, tha se në implementimin e kësaj linje ajrore mund të njihen edhe dokumentacionet e Kosovës.
“Hapësirën tonë ajrore ende nuk e kemi tonën, për shkaqe të sigurisë. Nuk është kthim prapa as në sovranitet e as në pavarësinë e Kosovës”, tha ai.
Haradinaj foli edhe për gjendjen aktuale politike, ku përsëriti se AAK do të qëndrojë në opozitë dhe se nuk do t’i bashkëngjiten Lëvizjes Vetëvendosje në qeverisje. Krahas saj Haradinaj tha se nuk është takuar as me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, por u shpreh i hapur për një takim të tillë.
“Nuk kemi komunikim me Vetëvendosjen për bashkëqeverisje. Nuk jemi takuar as me përfaqësues të LDK-së”, tha ai.
Haradinaj i pyetur për mundësitë e votimit të Qeverisë së pakicës, tha se pa një marrëveshje politike është e vështirë një gjë e tillë. /Gazeta Sinjali/