image "Haradinaj është person me integritet e le më të izolohet nga partia", Lekaj komenton deklaratat e Meliza Haradinajt për 'njerëzit toksikë në AAK'

Politikë

“Haradinaj është person me integritet e le më të izolohet nga partia”, Lekaj komenton deklaratat e Meliza Haradinajt për ‘njerëzit toksikë në AAK’

news image

Pas ngritjes së dyshimeve për manipulim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit, Meliza Haradinaj-Stublla sot dha dorëheqje nga drejtimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe nga funksionet në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Në njoftimin për dorëheqjen e saj ajo akuzoi disa njerëz brenda AAK-së që sipas saj po kontrollojnë dhe shantazhojnë përbrenda këtë parti, shkruan Gazeta Sinjali.

Lidhur me këto akuza ka folur për Gazetën Sinjali, deputeti i zgjedhur nga AAK, Pal Lekaj.

Lekaj ka thënë për Sinjalin se vendimi i Haradinaj-Stubllës është i ngutshëm dhe ka ardhur në një moment jo të përshtatshëm. Kjo pasi që, sipas tij, një veprim i tillë është dashur të merrej atëherë kur racionaliteti vendoset mbi emocionet personale.  

“Unë e vlerësoj znj Haradinaj-Stublla për angazhimin dhe profesionlizmin e treguar ndër vite në AAK mirëpo më duket se ajo është ngutur me vendimin e saj për tu larguar nga AAK në këtë kohë kur gjërat ende janë të padefinuara dhe veprime të tilla kaq të mëdha bëhen në momente më të qeta dhe kur racionaliteti vendoset mbi emocionet personale por në fund të fundit vendimet i takojnë asaj dhe neve na mbetet vetëm t’i respektojmë”, ka thënë Lekaj për Sinjalin.

Sa i përket deklaratës së Haradinaj-Stubllës se disa njerëz në AAK-në po e bëjnë këtë parti të pareformueshme dhe kryetarin e saj, Ramush Haradinaj të izoluar, Lekaj i ka disa fjalë për ish-bashkëpartiaken.

“Nuk e kam kuptuar se çfarë ka dashur të thotë me këtë deklaratë mendoj se kjo duhet sqaruar nga ajo vet sepse tash të gjithë e din që z. Haradinaj është person me intigritet e le më të izolohet nga partia e tij”, tha ai tutje për Gazetën Sinjali.

Lidhur me dyshimet për blerje votash, Lekaj ka thënë se ka qenë i befasuar me këto zhvillime, pasi që ka besuar se procesi në QNR do të shkonte në rregull.

“Zhvillimet e fundit për mua kanë qenë befasi e madhe sepse përkundër fjalëve që qarkullojnë pas çdo procesi zgjedhor unë personalisht kam besuar shumë në procesin që zhvillohej brenda QNR-së këto zhvillime të fundit janë tronditje për demokracinë kosovare edhe shpresoj që organet të shkojnë deri të fund të zbardhjes së këtij procesi”, u shpreh Lekaj.  

Dorëheqja e Haradinaj-Stubllës vjen një ditë pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i miratoi si të bazuara disa nga apelet e kandidatëve dhe subjekteve politike, që morën pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Një nga apelet kishte të bënte me dyshimet për manipulim të votave me kusht dhe me postë në favor të Haradinaj-Stubllës.

/GazetaSinjali/