Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova nuk guxon të heqë dorë nga interesat e saja në dialogun me Serbinë, teksa është shprehur kritik për mos marrjen e njohjes në takimin e Washingtonit.
Haradinaj tha se ka dy shqetësime lidhur me procesin e dialogut, të cilat ua ka bartur partnerëve të koalicionit, derisa ka shtuar se asnjëra pikë e marrëveshjes nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Unë i kam dy shqetësime për dialogun, të cilat ua kam shprehur Hotit, Mustafës dhe Limajt. E para, trajektorja e dialogut ka një paqartësi. Dialogu u ngrit deri në nivelin më të lartë në Shtëpinë e Bardhë, me elemente historike në të, por ajo që na mungon është njohja. Ende nuk e kemi shpëtuar Ujmanin dhe duhet të bëjmë kujdes me fizibilitetin”, është shprehur ai në Klan Kosova, transmeton Gazeta Sinjali./Gazeta Sinjali/