image Haradinaj e quan Kurtin mashtrues, Haki Abazi e paralajmëron ish-kryeministrin

Kosovë

Deklarim/ Haradinaj e quan Kurtin mashtrues, Haki Abazi e paralajmëron ish-kryeministrin

news image

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e dytë të qeverisë që u mbajt gjatë ditës së mërkurë, ka shfuqizuar disa nga vendimet që mori para ardhësi i tij, Ramush Hardinaj.

Një nga vendimet është edhe shfuqizimi i vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, miratuar me datën 20.12.2017, për pagat për pozitat të caktuara dhe të njëjtat kthehen në lartësinë e përcaktuar me rregullimin juridik të mëparshëm.

E për këto vendime, ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook.

Ai i quajti mashtruese, vendimet e marra nga Qeveria Kurti.

“Narrativa mashtruese e sjellë nga rruga, po vazhdon tani në institucione, duke u manifestuar përmes veprimeve populliste të panevojshme, që në realitet nuk sjellin asnjë ndryshim efektiv. I tillë është edhe vendimi për pagat, i cili i subordinohet në plotni Ligjit për Pagat e Sektorit Publik, tashmë të votuar nga Parlamenti i Kosovës, dhe i cili aktualisht gjendet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, këto po bëhen vetëm që ata të fitojnë disa poena të shpejtë politike.

“Ulja e pagave të Kabinetit të sotëm është veprim politik tërësisht i pakuptimtë kur dihet tanimë që brenda pak ditëve pritet aktgjykimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese rreth Ligjit që rregullon jo vetëm pagat e këtij kabineti, por edhe atyre të ardhshëmëve, dhe se pagat edhe për këtë muaj do u dalin të gjithëve ashtu siç ishin. Mashtrimi ordiner me këtë veprim të sotëm, bëhet për tituj portalesh që të fitojnë ca poena të shpejtë politik, në kurriz të parimit themelor kushtetues të vendit”.

Ndërkohë, këtyre deklaratave të Haradinajt, i reagoi zëvendës kryeministri i parë i qeverisë Kurti, Haki Abazi.

Abazi në një lidhje direkte në emisionin Frontal në T7, tha se Haradinaj duhet të ketë kujdes në përdorimin e termave.

“Mendoj që është përzgjedhje e ish kryeministrit që të bëjë vlerësime të vendimeve të qeverisë nga pozita e opozitarit, kjo është e drejtë e plotë dhe unë mendoj që duhet të vazhdojë me kujdes në përdorimin e termave sepse fjala mashtrim nuk është fjalë që përdoret, përderisa vendimet janë të bazuara ne ligjet në fuqi dhe normalisht që kjo qeveri ka gjithë legjitimitetin e plotë që të marrë vendime në bazë të analizave financiare dhe në shërbim të përmirësimit të përdorimit të të mirave publike e parasë publike”, ka thënë Abazi.

Ai shtoi se nuk kanë arsye që ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese lidhur me këto vendime.

“Nëse pyetja ka të bëje nëse ne duhet t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, unë nuk shoh asnjë arsye qe në këtë moment t’i drejtohemi për vendimet qe kemi marr për shkak që janë te argumentuara dhe të bazuara në analizën që kemi bërë paraprakisht dhe janë votuar në Qeverinë e Kosovës me unanimitet te plotë”, theksoi Abazi.