image Haradinaj del nga takimi me Kurtin dhe opozitën

Politikë

Haradinaj del nga takimi me Kurtin dhe opozitën

news image

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj sapo ka dalë nga takimi që e kishte me kryeministrin Albin Kurti dhe liderët e opozitës.

Takimi ishte parashikuar të niste në ora 08:00, ndërsa Haradinaj doli nga ndërtesa e Qeverisë gjysmë ore pas nisjes së takimit.

Në takim po marrin pjesë edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ai i PDK-së, Memli Krasniqi.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës përmes një letre dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar që të ketë harmonizim të veprimeve institucionale për situatën e krijuar në Veri.

Përmes një letre të dërguar të hënën nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ai ka thënë se koordinimi mes pushtetit dhe opozitës është i rëndësishëm.

“Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme që e ruajnë stabilitetin e shtetit tonë. Me këtë rast, jua shpreh gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit, si dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit tonë”, thuhet në letrën e Krasniqit.

Ndërsa, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se në skenarët e “satelitëve të Serbisë” që për qëllim kanë dështimin e marrëveshjes së planit franko-gjerman është kyqur dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ftesës së Kurtit nuk i ishte përgjigjur publikisht Lidhja Demokratike e Kosovës, megjithatë të njëjtit janë parë sot në takim.

/GazetaSinjali/