Një zyrë ndërkombëtare për të hetuar pushtimin rus të Ukrainës do të hapet të hënën në Hagë, në hapin e parë drejt një gjykate të mundshme për udhëheqjen e Moskës.
Agence France-Presse raporton se Qendra Ndërkombëtare për Ndjekjen e Krimit të Agresionit (ICPA) përmban prokurorë nga Kievi, BE, SHBA dhe gjykata ndërkombëtare penale (ICC).
Ajo do të hetojë dhe mbledhë prova në një masë që shihet si një hap i përkohshëm përpara krijimit të një gjykate speciale që mund të sjellë para drejtësisë zyrtarët e Kremlinit për fillimin e luftës në Ukrainë.
Zyrtarët e lartë do të mbajnë një konferencë për shtyp në ICPA në selinë e agjencisë gjyqësore të BE-së, Eurojust, e planifikuar të fillojë në orën 11:15 (0915 GMT), tha Eurojust në një deklaratë. Ata përfshinin prokurorin e përgjithshëm ukrainas Andriy Kostin, prokurorin e ICC-së Karim Khan, ndihmësin e prokurorit të përgjithshëm të SHBA Kenneth Polite dhe komisionerin e drejtësisë të BE-së Didier Reynders.
Thirrjet për një gjykatë speciale për Ukrainën janë shtuar sepse ICC, një gjykatë për krimet e luftës me seli gjithashtu në Hagë, Holandë, nuk ka mandat për të hetuar krimin më të gjerë të agresionit. GJPN-ja po heton krime më specifike të luftës dhe krime kundër njerëzimit në Ukrainë dhe lëshoi një urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin në mars mbi deportimet e supozuara të fëmijëve.