Një mosmarrëveshje familjare në Han të Elezit ka përfunduar me dhunë fizike ndaj një gruaje të moshuar, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me urdhër të Prokurorit, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 1 qershorit në rrugën “Imer Vila”, ku Policia është njoftuar për probleme dhe tensione brenda familjes.
Pas daljes në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë shoqëruar në stacion palët e përfshira, ndërsa viktima fillimisht ka marrë trajtim mjekësor për lëndimet e pësuara.
Sipas deklarimit të saj, incidenti kishte ndodhur në shtëpinë e djalit, ku gjatë një debati familjar lidhur me dekorimet e shtëpisë kishte ndërhyrë nipi i saj. Situata më pas kishte eskaluar dhe, sipas viktimës, ai e kishte goditur dy herë me shuplakë në fytyrë.
Sinjali mëson se gjatë intervistimit, i dyshuari S.K., e ka pranuar para hetuesve se e kishte goditur të afërmen e tij.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.
Rasti i është referuar hetuesve për procedura të mëtejshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!