Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka kujtuar akademik Adem Demaçin në tetëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, duke e cilësuar si një prej figurave më të shquara të historisë moderne të Kosovës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Hamza vlerësoi Demaçin si simbol të qëndresës, guximit dhe përkushtimit ndaj lirisë, duke theksuar se sakrifica e tij mbetet një shembull për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Sipas Hamzës, vitet e gjata që Demaçi kaloi në burg nuk arritën ta zbehin përkushtimin e tij ndaj çështjes kombëtare dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ai tha se qëndresa e Demaçit përballë padrejtësive dëshmon forcën e karakterit dhe idealet për të cilat ai jetoi.
Në fund të mesazhit të tij, kreu i PDK-së shprehu mirënjohje dhe respekt për jetën dhe veprën e Adem Demaçit, duke theksuar se kontributi i tij do të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë dhe kujtesës kolektive të Kosovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!