Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti ka folur rreth vendimit të Ramush Haradinajt për dorëheqje nga pozita e kryeministrit.
Sipas tij ky vendim ka qenë personal i tij, pa konsultim me krerët e koalicionit qeverisës.
“Ai ka qenë vendim personal i z. Haradinajt, por duke pasur parasysh që ne kemi pasur një koalicion së bashku nuk më ka ardhur mirë kur ai ka dhënë dorëheqje pa u konsultuar me krerët e koalicionit qeverisës, e në veçanti pa e konsultuar PDK-në, e cila ka qenë udhëheqëse e koalicionit”.
“Sidoqoftë, mendoj se e drejta për të dhënë dorëheqje është e secilit që është i zgjedhur në institucione publike e politike, por nëse marrim parasysh praktikat e shteteve të ndryshme që kanë probleme, ose që duan ta rrëzojnë qeverinë, ose vetveten janë dy mundësi”.
“E para, që të ketë mocion kundër qeverisë dhe e dyta, vetë qeveria ka mundur ta fusë veten në mocion besueshmërie në parlament dhe nëse nuk i fiton votat, atëherë qeveria llogaritet e rënë. Këto dy mundësi nuk janë shfrytëzuar as nga opozita, por as nga Qeveria”.
“Tani po besoj se zgjedhja është te Kushtetuta e Kosovës dhe te presidenti, i cili do ta ketë fjalën e tij kryesore në çështjet që vijnë sipas Kushtetutës. Mundësitë janë që ai të autorizojë një kandidaturë për kryeministër ose të shkojmë në zgjedhje të reja. Partitë politike në përgjithësi janë deklaruar se duan zgjedhje, por sa janë të përgatitura secila e di për partinë e vet. Ne si PDK po i bëjmë të gjitha përgatitjet për zgjedhje të reja”, ka thënë ai.