Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka deklaruar pas intervistimit në Prokurorinë Speciale se është paraqitur në cilësinë e dëshmitarit lidhur me hetimet për rastin e shpronësimeve në Shipitullë.
Thaçi ka thënë se kjo çështje, sipas tij, është përgatitur prej kohësh nga rivalët e tij politikë, ndërsa është shprehur i kënaqur që Prokuroria ka nisur hetimin e rastit.
“Jo, kjo është një temë e përgatitur prej moti nga rivalët e mi politikë. Më kanë përfshirë në çështjen e shpronësimeve në fshatin Shipitullë. Unë jam shumë i kënaqur që Prokuroria ka filluar të merret me këtë çështje dhe i bëj thirrje Prokurorisë që ta hetojë deri në fund. Po ashtu, i kam bërë thirrje edhe nga Kuvendi që të hetohet çdo keqpërdorim i mundshëm në ato pjesë”, tha Thaçi.
Lidhur me intervistimin në Prokurorinë Speciale, Thaçi ka thënë se është përgjigjur për të gjitha çështjet për të cilat ka pasur dijeni.
“Po, si dëshmitar, ata natyrisht që më pyetën për çdo gjë dhe unë, për çka do që di, do t’i përgjigjem prokurorit. Që në fillim te prokurori kam treguar se vetë ‘Kallxo.com’ për tre muaj rresht më ka telefonuar. Vetë pronari i ‘Kallxo.com’ ka kërkuar të takohem me të, që të mos publikohej videoja, dhe sigurisht edhe ti e di këtë”, tha ai.
Thaçi ka shtuar se pretendimet e tij janë të bazuara dhe se nuk do t’u nënshtrohet presioneve.
“Po, sigurisht që po, i kam të bazuara dhe nuk kam rënë pre e shantazheve të mediave, e asnjëherë nuk do të bie. Kurrë nuk do të shantazhohem e as nuk do të kërcënohem. Unë do të jem gardian i të drejtave të qytetarëve të mi. Faleminderit”, tha Thaçi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!