Anëtarët e familjes së ish presidentit Donald Trump dhe zyrtarë të administratës së presidentit Joe Biden janë në mesin e atyre që janë vënë në shënjestrën e hakerëve të lidhur me Kinën.
Sipas njoftimeve të gazetës New York Times, e cila citoi individë që kanë njohuri për ngjarjen, hakerët mundën të depërtonin në sistemet e kompanive të telekomunikacionit.
Në raportimin e gazetës thuhet se zyrtarë të Departamentit të Shtetit, anëtarë të familjes Trump, përfshirë Eric Trumpin dhe Jared Kushner, si dhe demokratë të njohur, mes tyre udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, ishin në mesin e atyre që ishin vënë në shënjestër nga spiunët kibernetikë.
Shqetësimet janë rritur për grupin e hakerëve pas raportimeve të medias muajin e kaluar.
Më 6 tetor, gazeta “Wall Street Journal” njoftoi se grupi me nofkën “Salt Typhoon”, kishte depërtuar në rrjetet e kompanive të telekomunikacionit dhe kishte marrë të dhëna nga sistemet që përdor qeveria federale për përgjimet e autorizuara nga gjykata, raporton VOA.