Ardita Sinani, kryetarja e komunës së Preshevës, ka njoftuar se për herë të dytë Serbia ka ndaluar hyrjen e Ministrit të Kulturës së Kosovës, Hajrulla Çeku, në Preshevë, raporton Gazeta Sinjali.
Ajo e cilësoi këtë si një akt tjetër të politikës nacionaliste serbe, e cila, sipas saj, fshihet pas një fasade pro-evropiane, por në realitet ushqen një regjim autoritar që shkel të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve.
“Për herë të dytë, pushteti i Vuçiqit ndalon Ministrin Hajrulla Çeku të vizitojë Preshevën! Ky është një tjetër akt i politikës nacionaliste serbe, e cila fshihet pas një fasade pro-evropiane, por në realitet ushqen një regjim autoritar që shkel të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve”, shkroi ajo në ‘Facebook’.
Tutje, ajo theksoi edhe pse regjimi i Vuçiqit është përkëdhelur nga Perëndimi për arsye gjeostrategjike, shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të përballen me diskriminim të vazhdueshëm.
“Presheva është e vendosur të mbajë lidhjet me të gjitha vendbanimet shqiptare dhe të forcojë bashkëpunimin me Kosovën e Shqipërinë. Përpjekjet për të na penguar vetëm na bëjnë më të fortë!”, thuhet mes të tjerash.