image Hajni që kreu vjedhje në shtëpinë e zyrtarit të AKI-së në Prizren ka të kaluar kriminale  - Sinjali sjellë detajet

Ekskluzive

Hajni që kreu vjedhje në shtëpinë e zyrtarit të AKI-së në Prizren ka të kaluar kriminale  – Sinjali sjellë detajet

news image

I riu që përfundoi në prangat e Policisë javën e e kaluar për vjedhjen që dyshohet se e kreu në shtëpinë e një zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) në Prizren nuk e ka sefte që bie në telashe me ligjin. Menderes Kadri, i cili doli para Gjykatës për këtë rast, ka të kaluar kriminale pasi është i dënuar disa herë për vepra të ndryshme, raporton Gazeta Sinjali.

Kadri, 33-vjeçar, u zbulua nga Policia në Prizren një ditë pasi kreu vjedhje në shtëpinë e zyrtarit të AKI-së, prej ku arriti të marrë një çantë, ku ishin të gjitha dokumentet personale të viktimës dhe arma e tij zyrtare.

Sinjali raportoi ekskluzivisht se arrestimi i tij erdhi pas një aksioni që u zhvillua më 25 shkurt dhe u siguruan prova, ndër të tjera edhe pamjet nga kamerat e sigurisë që dëshmojnë përfshirjen e të dyshuarit në këtë rast.

Ndaj tij, Prokuroria Themelore në Prizren ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së sigurisë, nën dyshimet se ka kryer veprat penale “Vjedhja e rëndë dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve materieve plasëse”.  

Lajmin e kanë bërë të ditur për Gazetën Sinjalin edhe nga Gjykata Themelore në Prizren dhe kanë njoftuar se ndaj Kadrit është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Zëdhënësi i Gjykatës, Marcel Lekaj, në një përgjigje për Sinjalin tha se gjyqtari i procedurës paraprake, ka gjetur se kërkesa për caktimin e paraburgimit është e bazuar.

Në vendimin e marrë nga Gjykata thuhet se i dyshuari, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, ka vjedhur çantën e viktimës, ndërsa armën zyrtare të tij e ka shitur për 200 euro te një person tjetër.

“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: Me datën 24 shkurt 2024, rreth orës 15:00min, në Prizren, në shtëpinë e të dëmtuarit, i pandehuri M.K., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, i merr pasurinë e të dëmtuarit në atë mënyre që  i njëjti hynë në shtëpinë e të dëmtuarit merr çantën në të cilën ka qenë arma zyrtare, me karikatorë, fishek, si dhe distinktivin e punës dhe dokumentet personale,

Se me datë dhe kohë të pacaktuar, në Prizren, i pandehuri M.K., me dashje dhe në kundërshtim të ligjit të zbatueshëm në lidhje me armët apo materiet plasëse, shet armën zyrtare, një karikatorë me fishek, të cilën me parë e kishte vjedhur tek i dëmtuari më pas këtë armë i shet personit H.B:, në shumën prej 200 euro.”

Sipas vlerësimit të Gjykatës, nëse i dyshuari lihet në liri, ekziston rreziku i arratisjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, për shkak të peshës së rëndë të dy veprave penale, por edhe për shkak të evidencës penale të Kadrit, që rezulton me vepra si vjedhje e rendë, armë e kanosje.

“Gjithashtu, me rastin e caktimi të paraburgimit, Gjyqtari i procedurës paraprake ka marrë parasysh se ndaj të pandehurit në evidencën penale, rezultojnë aktgjykime të plotfuqishme për vepra penale, vjedhje e rëndë, armëmbajtje pa leje, kanosje, andaj kjo dëshmo se me lënien në liri të të pandehurit në këtë fazë, ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale të ngjashme apo i kryerjes së veprave penale të tjera.” – thuhet në përgjigjen e Lekajt.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/