image Hajnat hyjnë me forcë në një shtëpi në Shtupeq të Pejës – vjedhin armë me leje dhe municion

Siguri

Hajnat hyjnë me forcë në një shtëpi në Shtupeq të Pejës – vjedhin armë me leje dhe municion

news image

Një vjedhje e rëndë ka ndodhur në fshatin Shtupeq i Vogël, në zonën Llaz të Pejës, ku persona të panjohur kanë depërtuar me forcë në një shtëpi dhe kanë marrë armë dhe pajisje të tjera me vlerë.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në periudhën nga 12 deri më 29 mars 2026, ndërsa rasti është raportuar në Polici nga pronari i shtëpisë, Xh. K.

Sipas deklarimit të tij, pasi ka shkuar në shtëpi, ka vërejtur se dera ishte hapur me forcë, ndërsa brenda kishte rrëmujë, çka ka ngritur dyshimet për vjedhje.

Gjatë verifikimit, ai ka konstatuar se mungonte një pushkë e tipit “Istanbul Silah”, modeli “Monza”, kalibri 308Win, të cilën e posedonte me leje dhe e kishte lënë brenda shtëpisë.

Po ashtu, janë marrë edhe optika e armës, seti i pastrimit, si dhe dy karikatorë me rreth 50 fishekë.

Sipas viktimës, dëmi i shkaktuar arrin në rreth 2 mijë euro.

Ai ka bërë të ditur se në shtëpi nuk kishte kamera sigurie dhe se nuk ka dyshime për ndonjë person konkret, ndërsa në Polici ka dorëzuar lejen e armës si dhe një video-incizim nga vendi i ngjarjes.

Njësitet e hetimeve dhe krim-teknika pritet të kryejnë ekzaminimet në vendin e ngjarjes, ndërsa rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”.

Hetimet janë në vazhdim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/