Një vjedhje e rëndë është raportuar në Mitrovicën e Veriut, ku persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në një banesë dhe kanë marrë para, stoli ari, pajisje elektronike dhe sende të tjera me vlerë, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se vjedhja dyshohet të ketë ndodhur në periudhën 5–11 korrik, në rrugën “Sterija Popoviq”, ndërsa banesa ishte e zbrazët, pasi pronarja ndodhej në Serbi për trajtim mjekësor.
Rasti është zbuluar më 11 korrik, rreth orës 10:20, kur Policia është njoftuar për vjedhjen.
Në vendin e ngjarjes janë takuar fqinja e pronares dhe djali i saj, i cili ka njoftuar policinë për sendet që mungonin.
Sipas denoncimit, nga banesa janë vjedhur: dy televizorë Samsung në vlerë rreth 500 euro; një palë vathë ari në vlerë rreth 300 euro; dy unaza ari në vlerë rreth 1 mijë euro; një lirë ari në vlerë rreth 800 euro; dy orë dore në vlerë rreth 500 euro; 60 mijë dinarë serbë dhe 100 euro para të gatshme; parfume në vlerë rreth 200 euro; si dhe pajisja DVR e sistemit të kamerave të sigurisë, që dyshohet se është marrë për të fshehur gjurmët e autorëve.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe njësia e kriminalistikës, të cilët kanë kryer ekzaminimet dhe kanë mbledhur provat materiale.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar është iniciuar rasti për veprën penale “Vjedhje e rëndë”. Deri më tani nuk ka persona të identifikuar, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!