image Hajnat e bëjnë ‘qyl’ një shtëpi në Podujevë, vjedhin para e sende në vlerë rreth 16 mijë euro

Siguri

Hajnat e bëjnë ‘qyl’ një shtëpi në Podujevë, vjedhin para e sende në vlerë rreth 16 mijë euro

news image

Shtëpitë private vazhdimisht janë në shënjestrën e hajnave për t’i vjedhur. Një vjedhje e rëndë është raportuar edhe mbrëmë në fshatin Bajqinë të Podujevë, ku i zoti i një shtëpie lajmëroi Policinë pasi hajnat i vodhën para, stoli ari e pajisje një vlerë të madhe parash, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se të dyshuarit kishin arritur që të depërtojnë brenda shtëpisë e cila ishte pa përkujdesje, pasi kishin hyrë me forcë përmes derës së hyrjes kryesore.

Posa kishin hyrë brenda hapësirave të shtëpisë, ata kishin filluar ‘gjuetinë’ e tyre për të kapur gjëra me vlerë. Sipas deklaratës së viktimës, në shtëpi i janë vjedhur para të gatshme, stoli ari, pajisje të kamerave që kapin vlerën e rreth 16 mijë eurove.  

44-vjeçari e lajmëroi menjëherë rastin në Polici, duke shpresuar se shpejt do të arrihet që të zbardhet rasti, e gjërat që hajnat i morën, t’i kthehen në pronësi.

Njësitet policore janë vënë në lëvizje për t’u rënë në gjurmë hajnave, por që të njëjtit ende nuk janë identifikuar dhe nuk kanë arritur që t’i prangosin.

Me urdhër të prokurorit, nga Policia është hapur rast ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen personat e dyshuar.

/GazetaSinjali/