Një fenomen mjaft shqetësues janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi e biznese, që po shkaktojnë ankth, pasiguri e humbje. Kështu ka ndodhur edhe në një punëtori për përpunimin e plastikës në Janjevë të Lipjanit, ku dy persona kanë kryer vjedhje të rëndë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se pronari e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka raportuar se hajnat kanë vjedhur pajisje të ndryshme të punës, makina, aparate e kabllo, që në total kapin vlerën e rreth 150 mijë eurove.
Sipas deklaratës së tij, të dhënë para hetuesve policorë me rastin e raportimit të rastit, kuptohet se të dyshuarit kanë depërtuar brenda me forcë. Pas raportimit të vjedhjes, njësitë policore iu janë përgjigjur rastit dhe është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit është iniciuar rasti si “vjedhje e rëndë”.
Pas një periudhe të shkurtër, dy personat e dyshuar, një 19 dhe një 20-vjeçar janë dorëzuar vet në stacion policor, ku janë intervistuar nga hetuesit dhe më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje.