Pas dënimit të ministres së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë Rozeta Hajdari nga Gjykata Themelore në Prishtinë për mos raportim të pasurisë me dënim me gjobë, kërkohet dorëheqja morale apo shkarkimi i saj.
Ministrja Hajdari nuk është përgjigjur se a do të japi dorëheqje pas dënimit me gjobë prej 700 eurove nga gjykata e po ashtu as nga Qeveria nuk janë përgjigjur lidhur me shkarkimin e saj.
Ish-ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, tha për Gazetën Sinjali se Partia Demokratike e Kosovës i bënë thirrje kryeministrit Albin Kurti që ta shkarkojë nga detyra ministren e Industrisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari pas dënimit nga Gjykata.
“Një ministre e cila nuk e deklaron pasurinë dhe dënohet nga Gjykata, duhet të japi dorëheqje morale apo të shkarkohet. Kjo është e papranueshme dhe kërkesa e jonë është që kryeministri ta shkarkoi atë, pasi që kjo ishte edhe kauza e VV sa ishin në opozitë dhe ku po mbeten tash”, tha Tahiri.
Ish-ministri tregoi për Sinjalin se në Kodin e Procedurës Penale që e kanë hartuar më parë PDK-ja, i cili është miratuar në Kuvend, por ende nuk ka hyrë në fuqi, parashihet suspendimi i zyrtarëve të lartë publikë të cilët kanë aktakuza për krim të organizuar dhe korrupsion.
Shefi i GP të PDK-së, theksoi se ka mbi dy muaj që kanë numëruar të gjitha skandalet e ministres Hajdari, ku në mesin e tyre ishte edhe mos deklarimi i pasurisë që është dënuar sot dhe është kërkuar e po kërkohet dorëheqja apo shkarkimi i saj.
“Vetëvendosje sot e ka një ministre e cila është dënuar për mos deklarimin e pasurisë, atëherë çfarë roli ka Kodi i Procedurës Penale që ne e kemi miratuar. Kjo është e paparanueshme”, tha Tahiri.
Më tej ai tregoi se do të iniciojnë edhe një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, ku do t’i kërkojnë kryeministrit ta shkarkoj Rozeta Hajdarin, jo vetëm për mos deklarim të pasurisë, por edhe për shkak të shumë abuzimeve tjera.
Ligji i Punës parasheh që ndërprerja e marrëdhënies së punës neni 67.1 nënparagrafi 1.6 thotë se: nëse i punësuari shkon në vuajtje të dënimit i cili do të zgjasë më tepër se gjashtë muaj.
Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Besian Mustafa, ka reaguar pas dënimit të ministres Hajdari.
Ai në profilin e tij Facebook ka shkruar: Ministrja e shkelë ligjin, shpallet fajtore nga gjykata, dënohet veq 700 euro dhe as mendja nuk i shkon për dorëheqje.
“Qysh ke ajo “me hajna nuk ka shtet”, shkruan Mustafa.