image Hajdari: Policia dhe prokurorët ta hetojnë rastin deri në fund, Klani nuk amnistohet prej llogaridhënies

Kosovë

Hajdari: Policia dhe prokurorët ta hetojnë rastin deri në fund, Klani nuk amnistohet prej llogaridhënies

news image

Sot ishte afati i fundit për marrjen e vendimit në lidhje me certifikatën e biznesit të Klan Kosovës, një temë tepër e diskutuar në publik. Komisioni për shqyrtimin e ankesave në ARBK ka marrë vendim që t’ia pezulloj Klan Kosovës çertifikatën e biznesit, pasi nuk ia ka pranuar ankesën. MINT ka njoftuar se për ta kjo çështje ka mbaruar, e se rasti tashmë do të kaloj në Gjykatë.

Së fundi ka reaguar ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari e cila i ka bërë thirrje Policisë dhe Prokurorisë që të hetojnë rastin e Klan Kosova si dhe disa zyrtarë të ARBK-së ku ndaj këtyre të fundit, ministria ka parashtruar kallëzim penal.

“Fakti që një biznes sh.p.k., mes shumë veprimtarive të tjera, merret edhe me media, nuk e amniston aspak prej llogaridhënies për shkeljet ligjore që i kryen, sado i fuqishëm që të jetë ekonomikisht apo politikisht”, ka shkruar ndër të tjerash Hajdari.

Reagimi i plotë:

Çdo biznes me veprimtari në Republikën e Kosovës, e ka për obligim që të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë.

Ndërsa, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është e vendosur për të mbrojtur rendin dhe ligjin në çdo rast brenda fushëveprimit të saj, pa përjashtim e pa diskriminim.

Fakti që një biznes sh.p.k., mes shumë veprimtarive të tjera, merret edhe me media, nuk e amniston aspak prej llogaridhënies për shkeljet ligjore që i kryen, sado i fuqishëm që të jetë ekonomikisht apo politikisht.

Për sa i përket vendimmarrjes në kuadër të MINT, procedimi i rastit Klan Kosova sh.p.k. ka përfunduar.

I ftoj Policinë e Kosovës dhe prokurorët kompetentë, që të ndërmarrin hapat e nevojshëm ligjorë për të hetuar, deri në fund, shkeljet ligjore të kryera nga ana e këtij biznesi, si dhe nga ana e disa zyrtarëve të ARBK, për të cilat shkelje ligjore kjo Ministri ka parashtruar kallëzim penal para disa javësh.

/GazetaSinjali/