Teksa ka shumë persona që e kanë përqafuar trupin e tyre duke i lënë qimet të rriten, ka të tjerë që duan të kenë lëkurë të butë dhe të depiluar. Depilimi me sheqer është metoda e bërë virale në TikTok dhe madje ka shumë SPA me këtë shërbim.
Kjo mënyrë depilimi është shumë e vjetër dhe konsiderohet si opsioni më natyral dhe ekonomik për t’u depiluar. Shumë nga ata që e kanë provuar betohen se është shumë herë më pak e dhimbshme sesa të tjerat.
Çfarë të duhet për ta realizuar?
Sheqer, ujë dhe lëng limoni, janë tre përbërësit kryesorë për të formuar pastën e depilimit në fjalë. Sheqeri luan rolin e ngjitësit, lëngu i limonit e ndalon përzierjen që të kristalizohet dhe ka veti antibakteriale. Së fundmi, uji i jep konsistencën e duhur që të ketë mjaftueshëm produkt.
Aplikimi bëhet me doreza sterile dhe pasta vendoset në krah të kundërt nga drejtimi i rritjes së qimeve që shkulja të bëhet nga rrënja.
Të mirat e kësaj metode janë disa, por më i rëndësishëm është fakti që lëkura nuk acarohet pothuajse fare edhe nëse ke tendencë irritimi. Depilimi me sheqer mund të bëhet në çdo pjesë të trupit, nga fytyra deri te këmbët.