Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se Policia e Shqipërisë sot e ka ndaluar veteranin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Murtez Kastratin nga Lipjani, pasi që atë po e kërkon Serbia përmes INTERPOL-it.
Gucati ka theksuar se nga burimet që kanë marrë, Serbia këto ditë ka bërë një listë të re me emra të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
“Ju bëjmë apel bashkluftëtarëve që këto ditë mos të lëvizin dhe të mos dalin në shtetet tjera. Shteti i Shqipërisë duhet sa me parë ta lirojë Murtez Kastratin dhe të mos i marrë parasysh asnjëherë veprimet dhe listat e dërguar në Interpol nga Serbia. Deri sa do të vazhdojnë kështu duke u maltretuar në këtë formë njerëzit që dhanë çdo gjë që ne sot ta kemi shtetin? Veteranët ende nuk janë në gjendje të lëvizin të lirë, Qeveria e Kosovës sa me parë duhet të marrë masa në këtë drejtim dhe të mos kemi më raste të tilla”, ka shkruar ai. /Gazeta Sinjali