image Gucati për vrasjen e Kelmendit: Besoj se këtu kanë dorë sigurimet e huaja

Kosovë

Reagim/ Gucati për vrasjen e Kelmendit: Besoj se këtu kanë dorë sigurimet e huaja

news image

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka hedhur dyshimet që vrasje e ish-ushtarit të UÇK-së, Qerim Kelmendit, të jetë kryer nga sigurimet e huaja.

Gucati ka kërkuar që vrasja të zbardhet sa më shpejtë, derisa ka thënë se beson se mund të jetë kryer nga sigurimet e huaja.

“Unë besoj se këtu mund të kenë dorë sigurimet e huaja, sidomos sigurimi i Serbisë. Unë nuk isha lëshuar në këto deklarata, sepse jam kryetar i veteranëve, nuk bën të lëshohem në komunikata të kujtdo…Ne si organizatë e luftës, pa dallim kush e ka kryer aktin, e dënojmë dhe është mirë që drejtësia sa më shpejt të zbardhë rastin. Në këto momente duhet të ruhet qetësia dhe të mos bëjmë propaganda të tilla, pasi nuk kemi nevojë të bëjmë amulli dhe të qesim krande në zjarr”, tha Gucati.

Tutje, Gucati vrasjen e Qerim Kelmendit e ka konsideruar vrasje të lirisë së popullit të Kosovës.

“Ne e kemi pritur shumë keq këtë vrasje, e cila na ka tronditur. Ne kemi reaguar dhe kemi kërkuar nga institucionet e Kosovës, drejtësia, policia dhe gjithë akterët në Kosovë që sa më shpejt të zbulohet ky akt makabër. Në vendet demokratike kur vritet një veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vritet edhe liria e atij populli. Se po të mos ishte lufta e UÇK-së, mos të ishin këta djem që e kanë udhëhequr luftën si Qerim Kelmendi, edhe shumë shokë të tij në krye me komandantin Adem Jasharin, ne sot nuk do të ishim këtu”, tha Gucati.

Qerimi Kelmendi u vra me breshëri automatiku dhe më pas u dogj në makinën e tij, pak metra larg shtëpisë së tij, rreth orës 01:30 në fshatin Zahaq të Pejës.

Qerim Kelmendi ishte anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), dega brenda Kosovës dhe së bashku me vëllain e tij, Ibrahimin ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qysh në fillimet e saj. Madje, Qerimi kishte thënë se ishte plagosur në gusht të vitit 1996, duke qenë kështu i plagosuri i parë i UÇK-së./Gazeta Sinjali/