Grupi i cili është cak i aksionit të sotëm policor, përveç kontrabandimit me armë dyshohet edhe për kontrabandim me produkte medicionale, merr vesh Sinjali nga burimet e sigurta brenda policisë.
Forcat speciale të policisë së Kosovës deri tash kanë bastisur postën private “Sim Logistic” e cila ka qenë cak i kontrollit në kuadër të hetimeve që janë zhvilluar nga Drejtoria e Hetimit të Krimit të Organizuar.
Hetuesit policor dyshojnë se përmes kësaj poste janë transportuar armë, mëson Sinjali nga burimet e sigurta.
Vetëm vitin e kaluar janë zënë rreth 99 armë të cilat ishin transportuar në formë të tillë.
Kompania SIM Logistic është e themeluar që nga data 01/08/2016. SIM Logistic me pikat e saj gjindet në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe atë në: Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Pejë, Ferizaj, Gjilan, Gjakovë.
Sinjali ka mësuar se deri më tani janë arrestuar dy persona gjatë aksionit të gjerë policor që është shtrirë në disa rajone të Kosovës, merr vesh Sinjali nga burimet e sigurta.
Aksioni ka nisur prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm dhe është duke vazhduar në Prishtinë, Pejë, Prizren, Mitrovicë lidhur me dyshimet rreth kontrabandimit me armë.
Operacioni është iniciuar dhe po zhvillohet nga Drejtoria e Hetimit të Krimit të Organizuar.
Sinjali do të ju mbajë të informuar lidhur me këtë aksion policor./Sinjali