image Grupi i parë i të burgosurve nga Danimarka pritet të mbërrijë në Kosovë në prill 2027

Kosovë

Grupi i parë i të burgosurve nga Danimarka pritet të mbërrijë në Kosovë në prill 2027

news image

Grupi i parë i të burgosurve nga Danimarka pritet të mbërrijë në Kosovë në prill të vitit 2027, ka bërë të ditur drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani.

Ai tha se Burgu i Gjilanit do të funksionojë sipas një modeli të bashkëmenaxhimit mes autoriteteve daneze dhe atyre kosovare.

“Burgu do të udhëhiqet nga një guvernator danez dhe një drejtor kosovar. Pjesa e sigurisë do të mbulohet nga stafi kosovar, ndërsa oficerët korrektues janë duke ndjekur trajnimet bazë në Danimarkë. Grupi i parë tashmë i ka përfunduar trajnimet, ndërsa grupi i dytë i oficerëve nga Gjilani është aktualisht në trajnim. Në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan do të zbatohet rendi i brendshëm danez”, u shpreh ai, në një intervistë për EO, transmeton Sinjali.

Sipas Dibranit, marrëveshja me Danimarkën nuk sjell vetëm përfitime financiare, por edhe mundësinë për të përfituar nga praktikat e njërit prej sistemeve korrektuese më të avancuara në botë.

“Përveç përfitimeve materiale, kjo marrëveshje, vlera e së cilës është rreth 210 milionë euro, do t’i mundësojë Kosovës të përvetësojë praktikat më të mira të sistemit korrektues danez, i cili konsiderohet një ndër më të mirët në botë”, u shpreh ai.

Danimarka dhe Kosova nënshkruan marrëveshjen në prill të vitit 2022, e cila parasheh transferimin e 300 të burgosurve nga Danimarka në Burgun e Gjilanit, si pjesë e përpjekjeve të Kopenhagës për të ulur mbipopullimin në burgjet e saj.

Në intervistë, Dibrani foli edhe për prioritetet e SHKK-së, duke theksuar se trajtimi i personave me nevoja të veçanta dhe fuqizimi i njësisë ekonomike mbeten në fokus të institucionit gjatë këtij viti.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/