Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanin, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, është deklaruar për media, ku ka thënë se do të kërkojë nga Spanja që ta njohë shtetin e Kosovës.
“E urova për fitoren e madhe spektakolare me përfshirje të madhe të diasporës. Gjithashtu kërkova nga ajo mbështetje për procesin regjistrimit të diasporës”, tha Grubi.
“Ajo u zotua që do të kyçet në këtë proces. I urova po ashtu formimin sa më të shpejt të institucioneve gjatë javës vijuese në mënyrë që pa asnjë vonesë të vijojmë më mbajtjen e mbledhjes se Qeverisë së përbashkët sepse është interes i dy vendeve tona që t’i realizojmë projektet që i kemi premtuar përfshirë rrugën Prizren-Tetovë, në heqjen e kufirit në Bllacë, gasifikimin e përbashkët, qendrën e përbashkët turistike ne Brezovicë dhe në Kodër të Diellit”, shtoi ai, raporton ekonomiaonline.
I pyetur nëse ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani do të kërkojë njohjen e Kosovës nga Spanja ai ka thënë se: “Absoutisht po çështja e Kosovës është prioritare e jona. E diskutova edhe me zonjën Osmani se mbështetjen tonë nuk do ta kenë mungesë në asnjë forum ndërkombëtar.”
Grubi po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, për të kërkuar mbështetje në procesin e regjistrimit të popullsisë që ka filluar në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë ditës, Grubi ka takuar dhe liderët e partive të PDK-së, AAK-së, LDK-së e Nismës. /Gazeta Sinjali/