Një rast i dhunës në familje është raportuar në Mitrovicë, ku një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti ka ndodhur më 25 qershor, rreth orës 20:30, në rrugën “Ilirët”.
Burimet bëjnë të ditur se ankuesja ka deklaruar se derisa ishte duke përgatitur darkën, bashkëshorti i saj kishte nisur të fjalosej me të, duke e akuzuar se po vonohej nga puna dhe nuk po përgatiste ushqim në shtëpi.
Sipas deklarimit të saj, i dyshuari më pas e kishte larguar fëmijën e tyre nga salloni dhe kishte filluar ta godiste ankuesen në të dy krahët.
Pas sulmit, viktima kishte marrë valixhet për t’u larguar nga shtëpia, ndërsa i dyshuari dyshohet se e kishte kërcënuar se nuk do ta shihte më fëmijën nëse largohej.
Ankuesja fillimisht ka pranuar tretman mjekësor në Spitalin Rajonal dhe më pas ka raportuar rastin në Polici.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Fëmija i është dorëzuar nënës, ndërsa ankuesja bashkë me fëmijën janë dërguar te familja e saj.
Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Dhunë në familje”.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!