Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sonte në rrugën ‘Jeronim De Rada’ në Prishtinë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka humbur jetën i riu, Egzon Haziri, ndërsa kanë mbetur të plagosur dy persona, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se një nga viktimat është një grua, e cila ishte kalimtare e rastit në momentin kritik.
Ajo bashkë me viktimën tjetër, që ndodhej me tashmë të ndjerin Haziri, janë dërguar me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për tretman mjekësor.
Sipas informacioneve të para, gruaja ndodhet në gjendje kritike, ndërsa viktima tjetër është jashtë rrezikut për jetë.
Rastin tashmë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, të cilët thanë se janë marrë veprimet e nevojshme hetimore për të identifikuar të dyshuarit dhe për të zbardhur rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.
“Ndërkohë që e plagosura është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.