image Gruaja e ‘Sandokanit’ lirohet nga akuza për keqpërdorimin e formularëve të veteranëve të UÇK-së

Drejtësi

Gruaja e ‘Sandokanit’ lirohet nga akuza për keqpërdorimin e formularëve të veteranëve të UÇK-së

news image

Gjykata e Prishtinës, ka liruar nga akuza dy zyrtarët e MPMS-së, Sanije Rexha dhe Kushtrim Bala, të cilët akuzoheshin për keqpërdorime me formularët për njohjen e statusit të veteranëve të UÇK-së.

Shpallja e aktgjykimit, është bërë nga gjyqtari Musa Konxheli, i cili theksoi se nuk është vërtetuar se dy të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat i ngarkon Prokuroria, raporton kallxo.com.

Sanije Rexha, e veja e ish-komandantit të UÇK-së, Abedin Rexha, i njohur si “Sandokani”, dhe Kushtrim Bala, akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ushtrim të ndikimit.

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Sanije Rexha dhe Kushtrim Balës, të cilët dyshohen se gjatë muajit tetor 2017, në bashkëveprim duke i shfrytëzuar pozitat e tyre kishin tejkaluar kompetencat dhe pa autorizim kishin marrë 31 formularë për njohje të drejtës së veteranit të luftës dhe kishin shkuar në Krumë të Shqipërisë që t’i plotësonin këta formularë nga 31 shtetas të Republikës së Shqipërisë.

Prokuroria thotë se formularët e mbushur në Shqipëri u dorëzuan në Kosovë në DIFDL të MPMS, dhe aplikuesit përfituan nga statusi i veteranit të luftës 133,280.00 euro në mënyrë të kundërligjshme edhe pse formularët nuk u dorëzuan personalisht nga aplikuesit.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Sanije Rexha dhe Kushtrim Bala si persona zyrtarë, më 16 janar 2019 në zyrën e Sanije Rexhës kishin ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në zyrtaren për pranimin e formularëve në DIFDL të MPMS Vlora Blakqori për pranimin e 4 formularëve të sjella nga Sokol Poga, shtetas i Republikës së Shqipërisë. /Gazeta Sinjali/