Astronautja italiane, Samantha Cristoforetti është bërë zyrtarisht gruaja e parë evropiane që merr drejtimin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës.
45-vjeçarja mori detyrën nga Oleg Artemyev të mërkurën. Detyrat e saj do të jenë të ruajë komunikimin me ekipet në Tokë dhe të koordinojë reagimin e ekuipazhit në rast emergjence. Ajo gjithashtu do të jetë përgjegjëse për performancën dhe mirëqenien e astronautëve në orbitë, sipas Agjencisë Evropiane të Hapësirës .
E lindur në Milano në vitin 1977, Cristoforetti studioi inxhinieri mekanike dhe më pas iu bashkua Forcave Ajrore Italiane si pilot përpara se të bëhej kapitene.
Ajo u zgjodh nga Agjencia Evropiane e Hapësirës në vitin 2009 për t’u bërë astronautja e parë grua e Italisë.
Deri në vitin 2015, ajo kishte vendosur një rekord duke kaluar 200 ditë në një mision të vetëm në hapësirë, në atë kohë fluturimi më i gjatë i vazhdueshëm në hapësirë nga një grua.
Në krye të aktiviteteve të saj të spikatura shkencore, Cristoforetti ka magjepsur publikun me videot e saj humoristike në Tik-Tok.
Këto mbulojnë një gamë të gjerë temash, nga stërvitja në hapësirë deri te kujdesi për një kostum hapësinor. Disa fragmente nga përditshmëria e saj kanë grumbulluar mbi një milion shikime.