image Gruaja e la shtëpinë pas dhunës, burri tentoi ta merrte me forcë në mes të Prishtinës – ndërhynë qytetarët

Siguri

Gruaja e la shtëpinë pas dhunës, burri tentoi ta merrte me forcë në mes të Prishtinës – ndërhynë qytetarët

news image

Një grua nga Prishtina dyshohet se u detyrua të largohej nga shtëpia pas dhunës së ushtruar nga bashkëshorti i saj, ndërsa vetëm pak ditë më vonë ai tentoi ta merrte me forcë në mes të qytetit, por u ndal nga qytetarët që ndërhynë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, raporton Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është H. M. rreth 62-vjeçar, ndërsa viktimë bashkëshortja e tij, F. Sh. rreth 62-vjeçare.

Sipas burimeve të Sinjalit, gruaja ka deklaruar se më 11 korrik, rreth orës 21:05, ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti në banesën e tyre në rrugën “UÇK” në Prishtinë. Pas incidentit, ajo ishte larguar nga shtëpia dhe kishte gjetur strehim te një shoqe.

Por, sipas denoncimit, ngjarja nuk përfundoi aty. Më 15 korrik, rreth orës 14:35, ajo u përball sërish me bashkëshortin, i cili tentoi ta merrte me forcë, ndërsa ndërhyrja e qytetarëve bëri që situata të mos përshkallëzohej.

Fillimisht rasti ishte evidentuar si shënim zyrtar, por pas intervistimit të një dëshmitareje dhe konsultimit me Prokurorin kujdestar të Departamentit për Dhunë në Familje, është iniciuar procedurë penale për veprën “Dhunë në familje”.

I dyshuari është intervistuar dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/