Gresa Caka-Nimani e ka dorëzuar mandatin e saj si kryetare e Gjykatës Kushtetuese tek pasardhësi i saj Nexhmi Rexhepi.
Për pranimin-dorëzimin e detyrës ka njoftuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
“Me një ceremoni solemne të mbajtur në praninë e përfaqësuesve të lartë shtetëror, të korit diplomatik, organizatave vendore dhe të huaja, akademisë, shoqërisë civile dhe mediave, u bë pranim-dorëzimi solemn i detyrës së Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës ndërmjet Kryetares në largim, znj. Gresa Caka-Nimani dhe Kryetarit të zgjedhur, z. Nexhmi Rexhepi, mandati i të cilit fillon me 31 dhjetor 2024”, thuhet në njoftim.
Në fjalën e saj, kryetarja Caka-Nimani, pasi shtjelloi rëndësinë e Gjykatës Kushtetuese për mbrojtjen e vlerave të demokracisë dhe peshën dhe simbolikën historike të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ndër të tjera, theksoi që “Mbrojtja e kësaj Kushtetute, nuk është thjeshtë një detyrë. Mbrojtja e kësaj Kushtetute, është akti më i lartë i patriotizmit të çdo qytetari të Republikës së Kosovës, të çdo shërbyesi publik, të çdo funksionari të lartë publik, e veçanërisht – i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”.
Ndërsa kryetari i zgjedhur i Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi, tha se, “pavarësia e pushtetit gjyqësor është gurthemel i demokracisë dhe është thelbësore për sendërtimin e parimit të ndarjes së pushteteve, për materializimin e sundimit të ligjit dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.