Ish-i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, është lajmëruar pas marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dokumenteve.
Grenell përmes një shkrimi në rrjetin social Twitter tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i tha ‘po’ marrëveshjes që ish-kryeministri Hashim Thaçi kishte rënë dakord vite më parë.
Tutje ai shpreson se Kurti do të fillojë t’i zbatojë edhe marrëveshjet e tjera të mëparshme.
“Kështu që @albinkurti ka rënë dakord për diçka që @HashimThaciRKS kishte rënë dakord vite më parë… Letërnjoftimet nga të dyja palët u pranuan prapë – por kësaj radhe Kurti thotë po. Ai po merr hapin – le të shpresojmë se do të fillojë të zbatojë edhe marrëveshjet e tjera të mëparshme”, shkroi Grenell.
Ndryshe, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka njoftuar se Serbia ka vendosur të pranojë dokumentet identifikuese të Republikës së Kosovës, duke bërë kështu që të hiqen pengesat për lëvizje të lirë për kosovarët.