image Grenell i reagon Blinkenit për marrëveshjen e Ohrit: Askush s’e ka nënshkruar

Politikë

Grenell i reagon Blinkenit për marrëveshjen e Ohrit: Askush s’e ka nënshkruar

news image

Ish-i dërguari special i presidentit amerikan, Donald Trump, për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, i ka reaguar Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, pas deklaratës së tij për marrëveshjen e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në një postim në Twitter, Grenell ka bërë ‘retweet’ deklaratën e Blinken, ndërsa ka shkruar me ironi duke thënë se askush nuk e ka nënshkruar ‘marrëveshjen’.

“Askush nuk e nënshkroi “marrëveshjen”. Seriozisht,”- është shprehur Grenell.

Kosova dhe Serbia më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut arritën pajtim për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se pavarësisht se nuk është nënshkruar, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

/GazetaSinjali/