Merrej kredi 10 mijë lekë (të reja) por në letra shënohej si 500 mijë lekë (të reja). Kjo është skema piramidale që kishin ngritur 7 persona, punonjës të Fondacionit “Besa” dhe sekserë. Në pranga ka rënë drejtoresha e një prej degëve të Fondacionit “Besa” në Shqipëri, Albana Imami, 3 punonjës të fondacionit si dhe dy sekserë. Deri më tani janë më shumë se 800 qytetarë që kanë rënë pre e këtij mashtrimi. Në krye të skemës qendronte Albana Imami.
Si funksiononte skema?
Dy sekserët, Orkida Driza dhe një 32-vjeçar gjenin personat për të marrë kredi fiktive. Kredia merrej vetëm me një kartë identiteti dhe në letra shënohej sikur ishin marrë shuma të konsiderueshme, duke filluar nga 5 milionë lek të vjetra. Dy sekserët vetëm gjenin kartat e identitetit, ndërkohë që gjithë procedura më pas vihej në zbatim nga 4 punonjës të Fondacionit “Besa” dhe nga Albana Imami.
Qytetarët që kishin përfituar kredi të vogla, as paraqiteshin në degë për të dorëzuar dokumentat, apo për të firmosur, por çdo gjë realizohej nga punonjësit.
Përfituesit e kredive shkonin vetëm për të marrë shumën e parave. Ata merrnin vetëm 20-25% të kredisë, ndërkohë që pjesa tjetër mbahej nga Albana Imami, dy sekserët dhe 4 punonjësit e fondacionit.
Janë rreth 3.7 milionë euro të cilat janë dhënë si kredi përgjatë viteve të fundit, falë kësaj skeme piramidale. Albana Imami për të mbuluar këtë shumë tek njerëzit që drejtonin fondacionin, kishte marrë më shumë se 1.7 milionë euro me interes tek persona të tjerë, gjithmonë në emër të fondacionit.
Të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen për veprat penale “Skemat mashtruese dhe piramidale”, “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe përfitimet në total deri tani llogariten deri në 3.7 milion euro.