Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:30 në Sheshin “Zahir Pajaziti”, ku një vajzë e re është sulmuar dhe grabitur nën kërcënimin e një arme të ftohtë. 20 vjeçarja ka raportuar rastin në polici dhe ka rrëfyer të gjithë tmerrin e përjetuar, raporton Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, viktima ishte duke ecur vetëm në shesh kur një person i panjohur e kishte ndjekur deri në hyrjen e një ndërtese pranë Bankës TEB. Agresori i kishte zënë derën dhe i kishte shkaktuar edhe lëndime trupore. Më pas, duke përdorur kërcënimin me thikë, i kishte kërkuar paratë që kishte me vete. Nga frika, vajza i kishte dorëzuar 2200 euro që i kishte në çantë.
Viktima ka marrë trajtim mjekësor për lëndimet e pësuara dhe rasti është raportuar tek autoritetet.
Policia në anën tjetër ka njoftuar hetuesit kujdestarë dhe Prokurorin e Krimeve të Rënda, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Grabitje”.
Ky incident ka ngritur shqetësime për sigurinë në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, ndërsa hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar janë duke vazhduar.
Sinjali do të përcjellë çdo zhvillim të mëtejshëm për këtë rast.