Marketet në vendin tonë jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët, ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Vjedhjet e grabitjet shpesh kryhen edhe nën kërcënimin e armës e mjeteve të tjera të rrezikshme, siç ndodhi së fundmi në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në një market në lagjen Ulpianë në Prishtinë dhe është denoncuar nga punëtorja e marketit, e cila kërkoi ndihmën e Policisë pasi u përballë me hajdutin që e tmerroi.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari ka qenë i maskuar dhe nën kërcënimin e një thike, ka arritur t’i grabis rreth 400 euro para të gatshme dhe më pas është zhdukur.
Me t’u raportuar rasti, njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e hajnit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.