Marketet në vendin tonë jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët, ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Vjedhjet e grabitjet shpesh kryhen edhe nën kërcënimin e armëve të zjarrit ose mjeteve të tjera të rrezikshme.
Një rast më i fundit i tillë ka ndodhur mbrëmë në orët e vona në Pejë, ku një punëtore në një market është kanosur nga një person.
Gazeta Sinjali mëson se rasti ka ndodh në marketin në rrugë “Gjergj Fishta”.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari i maskuar dhe nën kërcënimin e mjetit të mprehtë (thikë) ka marrë nga arka e marketit një shumë parash prej 500 eurosh.
Me t’u raportuar rasti, njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e hajnit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.