Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës, ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim, pas dyshimeve se kanë kryer një grabitje me kërcënim me mjete prerëse në një banesë në kryeqytet.
Të arrestuarit janë shtetasit E. S., 20 vjeç dhe K. K., 19 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur Xh. T., 21 vjeç. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në mesnatën e 23 qershorit në një banesë në rrugën “Gjon Buzuku” në Tiranë.
Hetimet paraprake tregojnë se autorët dyshohet se kanë hyrë në banesë dhe, nën kërcënimin e mjeteve prerëse, kanë marrë një shumë parash në euro dhe katër telefona celularë.
Policia njofton se operacioni i koduar “Doorbell” është finalizuar me shpejtësi, duke çuar në identifikimin dhe arrestimin e dy prej të dyshuarve në zonën e “Alliasit”, ndërsa bashkëpunëtori i tyre është ende në kërkim.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar rreth 900 euro dhe katër telefona celularë, që dyshohet të jenë përfituar nga vjedhja.
Materialet e rastit i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e procedurave ligjore, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e të dyshuarit të tretë po vazhdojnë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!