image Grabitja në ‘ExCoins’, pronari publikon pamjet e dy të dyshuarve – ofron 10 mijë euro shpërblim për identifikimin e tyre

Siguri

Grabitja në ‘ExCoins’, pronari publikon pamjet e dy të dyshuarve – ofron 10 mijë euro shpërblim për identifikimin e tyre

news image

Mëngjesin e 18 dhjetorit, dy persona të armatosur kanë terrorizuar punëtorët e njërës prej degëve të këmbimores ‘ExCoins’ në lagjen Tophane në Prishtinë. Dy të dyshuarit kanë arritur që nën kërcënimin e armës të marrin një shumë të konsiderueshme parash dhe më pas janë arratisur që aty, raporton Gazeta Sinjali.

Tri javë pas ngjarjes së rëndë, pronari i ‘ExCoins’, Valton Isufi, ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për informacione që mund të dërgojnë deri në identifikimin e të dyshuarve, teksa ka publikuar në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook edhe pamjet nga kamerat e sigurisë ku shihen hajnat duke ikur me motoçikletë.

Për këtë, ai ka ofruar shpërblim në shumë prej 10 mijë eurosh për këdo që mund të ofrojë informacione që ndihmojnë në identifikimin e të dyshuarve.

Nese keni pare diçka te dyshimte, degjuar diçka qe mund te jete e lidhur me ngjarjen, apo keni ndonje informacion te vlefshem qe mund te na ndihmoje, ju lutemi te me kontaktoni mua personalisht ose te vini ne zyret tona ne Rr Zija Shemsiu, Ulpiane per nje bisede te konfidenciale.

Si nje shenje e falenderimit per bashkepunimin tuaj dhe per te inkurajuar nje perfshirje aktive nga ana juaj, une kam vendosur te ofroj nje shperblim prej 10,000 euro per cdo informacionin qe do te çoje ne identifikimin e grabitesve”, shkroi ai.

Ditën kritike, Isufi tha për Sinjalin se të dyshuarit janë futur në lokal me armë të gjata dhe kanë arritur të marrin 45 deri në 50 mijë euro.

“Ka ndodhur një grabitje, dy persona kanë hyrë me kallashë edhe ju kanë bo presion punëtorëve. Shuma përafërsisht është diku nga 45 mijë deri në 50 mijë që janë marrë. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes”,  pati thënë ai.

Ndërsa nga Policia thanë për Sinjalin se po ndërmerren veprimet e nevojshme për të zbuluar rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti.

/GazetaSinjali/