Katër personat e dyshuar për grabitjen e armatosur që ndodhi më 12 qershor, në marketin ‘Lanti-B’ në rrugën ‘Besim Shala’ në Prizren, u arrestuan pas një aksioni të Policisë të zhvilluar gjatë ditës së djeshme, në disa fshatra të kësaj komune. Sinjali raportoi ekskluzivisht se cilët janë personat e dyshuar, të cilët tashmë janë ndaluar për 48 orë.
Pas publikimit të artikullit për kapjen e tyre, në adresë të redaksisë kanë ardhur pamje nga momenti që i parapriu grabitjes, si dhe një fotografi e të dyshuarit, që i kërcënoi me armë punëtorët e marketit, me ç’rast u vodhën 600 euro nga arka.
Në këto pamje shihet se si të dyshuarit kishin planifikuar që njëri prej tyre fillimisht të hynte në market si konsumator, ku blen një produkt që gjendet te arka, e paguan dhe largohet nga lokali. Më pas hyjnë dy të dyshuarit, të cilët, nën kërcënimin e armës dhe të maskuar vjedhin paratë dhe largohen nga vendi i ngjarjes.
Të dyshuarit që u prangosën lidhur me këtë rast, sipas burimeve brenda Prokurorisë janë Sefer Krasniqi, Luan Bytyqi, Drilon Saramati dhe Gzim Pulaj, të moshave të reja. Ata u arrestuan pas më shumë se një muaji qëndrimi në arrati.
Arrestimi i tyre erdhi pas bastisjeve që u kryen në lagjen ‘Bajram Curri’, Dobrusht dhe Vlashnje, gjatë ditës së premte. Përveç që u kapën të dyshuarit, Hetimet Rajonale kanë gjetur prova që dëshmojnë përfshirjen e tyre në rast.
Gjatë aksionit që u zhvillua në këto lokacione, Sinjali mëson se u gjetën veshmbathjet e të dyshuarve, të cilat i kanë pasur të veshura gjatë kryerjes së grabitjes dhe ndërlidhen me pamjet e siguruara për rastin.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.