Pas gati tri dekadash, Google mund të dërgojë në histori butonin e famshëm “I’m Feeling Lucky” (“Ndjehem me fat”) nga faqja e tij kryesore. Kompania po teston një ndërfaqe të re që integron inteligjencën artificiale, duke shqyrtuar zëvendësimin e këtij butoni me një opsion të ri të quajtur “AI Mode”, shkruan Gazeta Sinjali.
Ky regjim i ri do t’i ofrojë përdoruesit një mënyrë bisedore për të kërkuar, duke anashkaluar shfaqjen klasike të listës së gjatë me rezultate. Google e shpalli këtë funksionalitet në fillim të muajit dhe po e teston në një numër të kufizuar përdoruesish.
Ndërsa përdorimi i butonit “Lucky” ka qenë gjithmonë simbolik dhe i kufizuar – sipas Marissa Mayer, ish-drejtoreshë në Google, në vitin 2007 rreth 1% e kërkimeve bëheshin përmes tij – sërish ai mbetet një pjesë ikonike e identitetit të faqes. Funksioni i tij është të çojë përdoruesin direkt te rezultati më i përshtatshëm, duke anashkaluar listën e rezultateve.
Google po shqyrton edhe mundësinë që “AI Mode” të vendoset si kartelë në të djathtë të fushës së kërkimit, duke e lënë butonin “Lucky” të paprekur. Megjithatë, ekspertët mendojnë se këtë herë rreziku për zhdukjen e butonit është më i madh se kurrë.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që ekzistenca e butonit vihet në pikëpyetje. Në vitin 2010, ai u bë i padukshëm për shkak të funksionit Google Instant, por mbijetoi. A do të ndodhë kështu edhe këtë herë?
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit