Kryetari i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Ardian Gola ka vlerësuar se sindikatat më nuk e kanë grevën për para, por për ta thyer mendjen kryeministrit Kurti. Ai ka aluduar se mund të pranohet edhe një rritje nga 50 në 60 euro, vetëm sa për ta lëvizur qeverinë nga pozicioni i saj.
Gola, në “DPT te Fidani” ka sqaruar se ky është mendim i tij.
“Sindikata është duke kërku vetëm një lëvizje prej 50 euroshit, ndoshta pranon edhe 60 euro. Po spekuloj, po them, se nuk di asgjë. Ndoshta kishte mjaftu. Nuk është më çështje e parave, është çështje e thyerjes së mendjes. Jo pse kanë të drejtë në kërkesat e tyre”, ka thënë ai.
Sipas Golës, përderisa sindikata do t’i tregojë Kurtit që rruga e drejtë është rruga e vjetër, kryeministri kërkoni t’u tregojë që nuk mund të dorëzohet nga presioni i tyre.
“Ata po duan me dëshmu që kjo rrugë, që është trasu tash e sa vite, kjo është rruga e drejtë. Në anë tjetër e kemi një kryeminsitër të majtë, i cili po do me tregu, më falni kështu jeni mësu, por nuk do të shkojë më kështu”, ka thënë ai.
Gola ka thënë se shumica absolute e kërkesave të sindikatave janë plotësuar, përveç kërkesës për rritje pagash prej 100 euro.
“Nuk kam parë asnjë kërkesë që nuk është adresu apo plotësu, përpos kërkesës për 100 euro. Ama bash çdo kërkesë, sa kam mujtë me vërejtë, në procesin e komunikimit qeveri-sindikatë”, ka deklaruar ai.
Deputeti Gola ka thënë se zhvillimi kognitiv i fëmijëve është ireversibil, prandaj ai ka thënë se është e rëndësishme që sa më parë ata t’i kthehen bankave shkollore.